Ankesat e konsumatorëve, bizneset do të kenë 15 ditë për përgjigje
Bizneset do të duhet t’u përgjigjen me shkrim ankesave të konsumatorëve brenda 15 ditëve kalendarike, ndërsa 20 kategori kushtesh të padrejta kontraktore do të konsiderohen automatikisht të pavlefshme.
Sipas nenit 18 të projektligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit” depozituar në Kuvend, çdo tregtar duhet t’i mundësojë konsumatorit paraqitjen e një ankese me shkrim, fizikisht ose nëpërmjet mjeteve elektronike.
Tregtari duhet të konfirmojë marrjen e ankesës pa vonesë të panevojshme dhe t’i përgjigjet konsumatorit brenda 15 ditëve kalendarike nga data e marrjes së saj.
Përgjigjja duhet të përcaktojë qartë nëse ankesa pranohet ose jo si e bazuar. Kjo do të thotë se afati 15-ditor nuk përbën detyrim për pranimin e çdo pretendimi të konsumatorit, por për shqyrtimin dhe dhënien e një përgjigjeje të argumentuar.
Bizneset do të detyrohen gjithashtu të afishojnë në mënyrë të dukshme informacionin mbi procedurën e paraqitjes së ankesave, si në ambientet fizike, ashtu edhe në faqet e tyre të internetit, kur kanë të tilla.
Po kështu, detyrim është mbajtja e një regjistri të ankesave me shkrim për një periudhë njëvjeçare nga data e marrjes së tyre.
Nëse mosmarrëveshja nuk zgjidhet drejtpërdrejt ndërmjet konsumatorit dhe tregtarit, biznesi duhet t’i japë klientit informacionin e parashikuar në projektligj për mundësitë e zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjes.
Nga penalitetet e larta te ndryshimi i njëanshëm i kontratave
Projektligji parashikon edhe kushtet e padrejta kontraktore. Konkretisht, neni 40 parashikon 20 kategori kushtesh që konsiderohen të padrejta në çdo rast dhe konstatohen menjëherë si të pavlefshme, pa pasur nevojë për një vlerësim paraprak të padrejtësisë së tyre.
Ndër këto përfshihen kushtet që i japin tregtarit të drejtën të ndryshojë në mënyrë të njëanshme kushtet e kontratës pa një arsye të vlefshme, të vendosë penalitete joproporcionale ndaj konsumatorit ose të ndërpresë kontratën pa i njohur klientit të njëjtat mundësi.
Projektligji trajton edhe kontratat që zgjaten automatikisht, kur konsumatorit i lihet një afat i paarsyeshëm për të kundërshtuar rinovimin.
Një rast tjetër i ndaluar është vendosja e kushteve që i japin tregtarit të drejtën ekskluzive për të interpretuar përmbajtjen e kontratës ose për të përcaktuar vetë nëse produkti apo shërbimi i ofruar përputhet me detyrimet e marra përsipër.
Dispozitat synojnë të kufizojnë pabarazinë që mund të krijohet në kontratat standarde, ku kushtet zakonisht hartohen nga biznesi dhe konsumatori ka pak hapësirë për t’i negociuar.
Edhe ndryshimi i interesave të kredive pa pëlqimin e klientit
Një nga parashikimet me interes të veçantë financiar lidhet me kontratat e kredisë.
Pika 20 e nenit 40 e konsideron të padrejtë ndryshimin e kushteve të kontratave të kredisë, veçanërisht të metodës ose metodologjisë së përllogaritjes së normës së interesit dhe elementeve të saj, pa marrë më parë pëlqimin e konsumatorit.
Kjo dispozitë ka rëndësi për marrëdhëniet ndërmjet konsumatorëve dhe institucioneve kredidhënëse, duke synuar të kufizojë ndryshimet e njëanshme të kushteve kontraktore.
Gjykatat mund të shqyrtojnë kushtet e padrejta edhe pa kërkesën e konsumatorit
Projektligji parashikon gjithashtu një rol më aktiv të gjykatave në mbrojtjen e konsumatorëve.
Sipas nenit 43, gjykata mund të shqyrtojë me nismën e saj padrejtësinë e kushteve kontraktore gjatë një mosmarrëveshjeje dhe të konstatojë pavlefshmërinë e tyre.
Kur një kusht shpallet i padrejtë, tregtari mund të detyrohet ta heqë nga kontratat standarde ekzistuese, të informojë konsumatorët e prekur dhe të mos e përdorë në kontratat e ardhshme.
Projektligji parashikon edhe regjistrimin dhe publikimin e kushteve të padrejta që nuk janë të listuara shprehimisht në nenin 40, por që konstatohen si të tilla nga gjykata ose autoriteti kompetent . /ekofin.al
The post Ankesat e konsumatorëve, bizneset do të kenë 15 ditë për përgjigje appeared first on Ekofin .
The full article is being collected. Available text is shown for now.