Back

Zyberi: qytetarët duhet ta shohin MPB-në si mbrojtëse të tyre, jo si shkelëse të të drejtave të njeriut

Eksperti juridik dhe ish-Avokati i Popullit, Naser Zyberi, në “Impakt” në TV Shenja, ka folur për rënien e besimit të qytetarëve në organet e drejtësisë dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sipas tij, korrupsioni, nepotizmi dhe perceptimi për njëanshmëri kanë bërë që qytetarët të hezitojnë të kërkojnë drejtësi në institucione.

“Besimi i qytetarëve ka rënë kur janë në pyetje organet e jurisprudencës dhe ndoshta prej këtu buron hezitimi që qytetarët shpeshherë të kërkojnë drejtësi te institucionet, sepse është krijuar bindja se këto institucione nuk ndajnë drejtësi. Përkundrazi, janë të njëanshme, ka elemente të theksuara të nepotizmit, ka elemente shumë të theksuara të korrupsionit dhe ajo që është detyrë themelore e sistemit të drejtësisë, pra ndarja dhe dhënia e të drejtës, mungon. Kjo sigurisht që i deprimоn qytetarët për të ndërmarrë veprime për të kërkuar të drejtën në dyert e gjyqësorit. Kam përshtypjen se nuk është në një pozitë më të lakmueshme as MPB-ja. Qytetari, pjesëtarin e MPB-së, vetë MPB-ja duhet ta shohë si mbrojtës të të drejtave të njeriut, si garantues të lirisë së qytetarit, si garantues të rendit, e jo si sulmues të të drejtave të qytetarit, jo si shkelës të të drejtave të njeriut. Përkundrazi, duhet të ketë besim se ky institucion është themeluar për t’i mbrojtur qytetarët e jo që qytetarët të shndërrohen në viktima të këtij aparati”, deklaroi Zyberi.

Zyberi theksoi se Komiteti i Helsinkit dhe institucioni i Avokatit të Popullit janë ndër adresat që duhet të trajtojnë raste të tilla, duke nënvizuar se Avokati i Popullit mund të hapë lëndë edhe me iniciativë zyrtare, pa pasur nevojë për një ankesë nga qytetarët.

“Për mua është pak e pakuptimtë heshtja e institucioneve që merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Nuk e kam të qartë pse Komiteti i Helsinkit nuk ka hap lëndë ose nëse ka hap pse nuk e ka bërë publike. Sepse, një ndër adresat në të cilat duhet të adresohet kjo mënyrë e ushtrimit të dhunës nga Ministria e Punëve të Brendshme është pikërisht Komiteti i Helsinkit dhe institucioni i Avokatit të Popullit.

Unë nuk kam informacion se institucioni i Avokatit të Popullit a ka ngritur procedurë, respektivisht a ka hap lëndë sepse në bazë të ligjit të Avokatit të Popullit lëndët hapen edhe zyrtarisht. Nuk është patjetër që të denoncohet, respektivisht nuk është patjetër që qytetari t’i drejtohet institucionit me parashtresë për të formuar lëndë. Pra, institucioni i Avokatit të Popullit edhe nga vet informacionet që merr në media mundet dhe në këtë rast duhet që të hap lëndë sepse, një nga sferat e observimit të këtij institucioni është pikërisht mbrojtja nga dhuna e institucioneve që në këtë rast është MPB respektivisht pjesëtarë të uniformuar të MPB-së”, deklaroi Zyberi.

Zyberi, deklaroi se rastet e dhunës policore në Maqedoninë e Veriut nuk janë të izoluara. Sipas tij, në raste të tilla institucionet shpesh kanë minimizuar shkeljet, ndërsa pjesëtarët e policisë kanë kaluar pa sanksione serioze.

The full article is being collected. Available text is shown for now.

Back
Share this story

Get the daily newsletter →

Ask globalread.info

AI news & website helper
What would you like to explore?

I can find stories, explain headlines, or help you use globalread.info.

AI can make mistakes. Check the linked sources. Questions are sent to OpenAI.