Kusari-Lila: Synojmë zgjerimin e eksporteve kosovare në tregun slloven
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, me synim afrimin e bizneseve dhe krijimin e mundësive të reja për produktet kosovare në tregun slloven.
Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në takimin e tretë me bizneset sllovene në Kosovë, së bashku me ambasadorin e Sllovenisë, Borut Blaj, dhe drejtorin ekzekutiv të Këshillit Evropian të Investitorëve në Kosovë, Emrush Ujkanin, i cili ishte bashkëorganizator i takimit.
“Kosova dhe Sllovenia kanë ndërtuar ndër vite marrëdhënie të rëndësishme ekonomike, të cilat synojmë t’i forcojmë edhe më tej, duke afruar bizneset tona dhe duke krijuar mundësi të reja për produktet kosovare në tregun slloven”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ajo ka theksuar se gjatë takimit është shprehur përkushtimi për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe hapjen e rrugëve të reja për eksport dhe investime.
“Për ne, Made in Kosova është më shumë se një etiketë. Është synimi ynë që produktet tona të depërtojnë në tregje të reja dhe të vlerësohen për cilësinë e tyre”, ka deklaruar ministrja.
Kusari-Lila ka shtuar se përmes eko-parqeve industriale po krijohen kushte për rritjen e prodhimit, inovacionit dhe investimeve.
“Përmes eko-parqeve industriale, po krijojmë kushte për më shumë prodhim, inovacion dhe investime, që bizneset kosovare të rriten, të bëhen më konkurruese dhe ta përfaqësojnë emrin e Kosovës përtej kufijve”, ka përfunduar ajo.
The post Kusari-Lila: Synojmë zgjerimin e eksporteve kosovare në tregun slloven appeared first on KosovaNews .
The full article is being collected. Available text is shown for now.